Qytetarët që duan të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme kanë kohë deri më 31 dhjetor 2026 për të përfunduar procedurën.
Njoftimi është bërë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila sqaron se aplikimi mund të kryhet online përmes platformës e-Albania.
Për të nisur procedurën, qytetarët duhet të identifikohen në e-Albania, të zgjedhin shërbimin “Rivlerësimi i pasurisë”, të plotësojnë formularin, të dërgojnë aplikimin dhe më pas të kryejnë pagesën.
Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme ose nga drejtoritë vendore të Kadastrës.
Sipas njoftimit, tatimi për rivlerësimin e pasurisë është 5% e bazës së tatueshme. Përveç tatimit, qytetari duhet të paguajë edhe tarifën e shërbimit, e cila përcaktohet në bazë të vlerës së pasurisë.
Tarifat janë:
- 3,500 lekë për pasuritë me vlerë deri në 150 mijë lekë;
- 7,000 lekë për pasuritë me vlerë nga 150,001 deri në 300 mijë lekë;
- 10,000 lekë për pasuritë me vlerë mbi 300,001 lekë.
Nëse një qytetar dëshiron të rivlerësojë më shumë se një pasuri, aplikimi duhet të kryhet veçmas për secilën prej tyre.
Kadastra bën të ditur se shërbimi ofrohet brenda 5 ditëve nga konfirmimi i pagesës. I gjithë procesi i aplikimit dhe ndjekjes së procedurës kryhet online përmes e-Albania.










