Reagon Rama pas publikimit të 5 kërkesave të protestuesve në tubimin e sotëm

Përmes një videoje ku shfaqen postime të mëparshme të Goxhajt me qëndrime të konsideruara pro Iranit, Rama ironizoi segmentin “intelektual” të protestës, duke shkruar:

“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit ‘intelektual’ të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?”

Kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin e tij të mëhershëm se protesta, sipas tij, do të përfundojë duke forcuar Partinë Socialiste dhe duke sjellë përmirësim në qeverisje.

“Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm.”

Në fund të reagimit, Rama e cilësoi Dritan Goxhajn si “zëdhënës të interesave të Iranit”.

Ndërkohë, Grupi Koordinues i Protestës prezantoi kërkesat kryesore të protestuesve, ku përfshihen:

  • dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë;
  • krijimi i një qeverie teknike tranzitore 12-mujore;
  • ndryshime kushtetuese dhe reformë zgjedhore;
  • kufizimi i mandateve të kryeministrit në maksimum dy;
  • shfuqizimi i disa ligjeve dhe paketave të debatueshme, përfshirë “Paketën e Maleve” dhe statusin e “Investimeve Strategjike”.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë protestën paqësore deri në realizimin e kërkesave të tyre.