Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat për projektin turistik në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, duke i cilësuar si të rreme lajmet se shteti po fal prona publike.
Gjatë prezantimit të kompanisë së teknologjisë “Albanian Digital Solution”, Rama deklaroi se zona e Zvërnecit ku parashikohet investimi është pronë private dhe jo pasuri shtetërore.
“Shteti nuk po fal asgjë sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private dembabadem”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, investitorët e përfshirë në projekt e kanë marrë pronën nga privatët dhe bëhet fjalë për kompani serioze.
Rama foli edhe për ishullin e Sazanit, duke theksuar se negociatat për projektin ende nuk kanë përfunduar. Ai tha se Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e procesit dhe shteti shqiptar do të ketë përfshirje direkte në projekt.
“Ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit. Ende sot nuk kanë mbaruar negociatat pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty”, deklaroi ai.
Deklaratat e kreut të qeverisë vijnë në një kohë kur në zonë janë zhvilluar protesta nga banorë dhe aktivistë, të cilët kundërshtojnë projektet turistike dhe pretendojnë se ndërtimet janë të paligjshme.










