Rama prezanton “Flamingo Mirror”: “Do të publikojmë dosjet qeveritare me ndjeshmëri të veçantë”

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Flamingo Mirror”, përmes së cilës, sipas tij, do të publikohen dosje dhe dokumente të rëndësishme qeveritare, me synimin që qytetarët të kenë akses të drejtpërdrejtë në dokumentet zyrtare.

Rama tha se nisma vjen si reflektim ndaj protestave që nisën në qershor, por edhe si një nevojë për më shumë transparencë në një kohë kur, sipas tij, faktet përballen gjithnjë e më shumë me dezinformimin dhe gjysmë të vërtetat.

Platforma do të nisë me publikimin e dosjes “Sazan-Zvërnec”, të cilën kryeministri e cilësoi si një nga çështjet me interes të madh publik.

“E kemi quajtur ‘Pasqyra Flamingo’ dhe patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse, ‘Sazan-Zvërnec’. Është një burim i cili do t’i shërbejë të gjithëve. Qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria, por se çfarë është e shkruar në dokumentet zyrtare”, deklaroi Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se në platformë do të publikohen në vijim edhe dosje të tjera qeveritare që konsiderohen me ndjeshmëri të veçantë.

“Është e qartë që në këtë pasqyrë do të vendosim vijimësisht çdo dosje qeveritare me ndjeshmëri të posaçme. Po përgatisim disa tema të tjera. Shumë shpejt do të publikojmë dosjen e KAYO-s”, tha ai.

Sipas Ramës, “Flamingo Mirror” synon t’u japë qytetarëve mundësinë të njihen drejtpërdrejt me dokumentet zyrtare, në vend që informacioni të filtrohet vetëm përmes deklaratave apo interpretimeve publike.