Rama porosi socialistëve: “Deputeti nuk është sekser, partia nuk bëhet shtet”

Kryeministri Edi Rama ka vendosur kufij të qartë për mënyrën se si deputetët socialistë duhet të zbatojnë nismën e re “Prania Besnike”, që synon afrimin e tyre me qytetarët dhe dëgjimin nga afër të problematikave që hasin.

Gjatë një takimi me ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste, Rama u kërkoi të tijve që takimet me qytetarët të mos shndërrohen në mekanizma për ndërhyrje, punësime apo përfitime politike.

Rama theksoi se deputeti nuk duhet të telefonojë drejtues institucionesh për t’u kërkuar favore dhe as të shërbejë si “zyrë punësimi” apo si kanal për rekrutimin e militantëve.

Sipas tij, roli i deputetit duhet të jetë ai i një ure komunikimi mes qytetarit dhe institucioneve, duke ndjekur problematikën e ngritur deri në zgjidhjen e saj, pa krijuar një sistem paralel.

“Partia nuk bëhet shtet. Nuk është sportel punësimi. Militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që jep ligji”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se politika duhet të shërbejë si një mekanizëm që dëgjon qytetarët dhe përcjell problematikat drejt shtetit, dhe jo si një kanal alternativ për të zëvendësuar institucionet.

“Politika duhet të jetë antenë për shtetin që dëgjon dhe jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon”, deklaroi kryeministri.