Partia Demokratike pritet të zhvillojë këtë të premte në orën 19:00 një protestë para Kryeministrisë, për të cilën Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan të gjerë masash sigurie.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka dalë në terren për të inspektuar përgatitjet, ndërsa në total janë angazhuar 1533 efektivë për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.
Sipas planit të publikuar nga policia një ditë më parë, protesta do të zgjasë deri në orën 22:00. Gjatë kësaj kohe do të ketë kufizime të konsiderueshme të qarkullimit rrugor në zonën qendrore të Tiranës.
Konkretisht, deri në përfundim të tubimit do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”. Ndërkohë, duke nisur nga ora 15:00, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Pak orë para nisjes së protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi tubimin si një nga më të fuqishmit, duke theksuar se do të jetë ndryshe nga protestat e mëparshme. Ai e përshkroi atë si një “kryengritje paqësore”, ndërsa artikuloi akuza të forta politike ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështje që, sipas tij, përbëjnë shkelje serioze.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e bllokuara dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për të evituar trafikun dhe incidentet gjatë orëve të protestës.










