Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq babë e bir për at*ntatin ndaj nje shtetasi

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasit Ali Cimili . dhe Afrim Cimili., babë e bir, të akuzuar për “vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si edhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 474, rezulton se dy të pandehurit kishin një konflikt të mëparshëm me shtetasin Hysen Mernica. Për këtë arsye, ata dyshohet se i kanë zënë pritë këtij të fundit, teksa ai po lëvizte me motomjet së bashku me nënën e tij, S.M.

Hetimet tregojnë se babë e bir, duke udhëtuar me dy automjete të ndryshme, kanë ndjekur lëvizjet e H.M-së dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të tij plot nëntë herë, ndërsa të gjithë ishin në lëvizje.

Sipas Prokurorisë, pak para ngjarjes, i biri kishte qenë së bashku me të atin dhe pasi janë përballur rastësisht në rrugë me viktimën, kanë identifikuar itinerarin e tij dhe kanë organizuar sulmin.

Mësohet se njëri prej tyre, që drejtonte një automjet tip “Toyota”, ka qëlluar me armë zjarri drejt viktimave, ndërsa tjetri, në drejtimin e një automjeti tip “Mercedes-Benz”, ka qëlluar me pistoletë.

Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të çdo personi të përfshirë në krime kundër jetës dhe shëndetit.