Policia kërkon të marrë në pyetje Adrian Hilën për videot intime të shpërndara në rrjet

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nxjerrë këtë të enjte një ftesë për paraqitje për kompozitorin Adrian Hila, në kuadër të verifikimeve lidhur me videot me përmbajtje intime që u shpërndanë një ditë më parë në rrjetet sociale.

Efektivë të Policisë kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar dhe për ta marrë në pyetje, por nuk e kanë gjetur aty.

Sipas gazetares së Top News, Kleida Muka, policia ka mundur të kontaktojë me Hilën në telefon. Kompozitori është shprehur se është “shumë i shokuar” nga ngjarja dhe ka deklaruar se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë.

Marrja në pyetje e Hilës bëhet në kuadër të hetimeve për materialet intime që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

Ndërkohë, një ditë më parë, specialistët e Krimit Kibernetik kanë kryer verifikime për të përcaktuar përmbajtjen dhe burimin e materialeve të shpërndara online.