Policia e Lezhës ka dhënë njoftimin e parë zyrtar lidhur me atentatin e ndodhur mesditën e sotme në dalje të fshatit Balldren, në rrugën Balldren–Torrovicë, ku humbën jetën dy persona.
Sipas policisë, rreth orës 14:50, gjatë lëvizjes së një automjeti tip “Audi”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Automjeti drejtohej nga shtetasi K. M., 39 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe. Të dy kanë humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kontrollet në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Në vendngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, i cili po punon për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga hetimet paraprake, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet është ajo e hakmarrjes, pasi Kreshnik Mujeci rezulton i akuzuar për vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.
Sipas të dhënave, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e ka shpallur të pafajshëm Kreshnik dhe Jozef Mujecin më 27 nëntor 2018, ndërsa Apeli ka lënë në fuqi vendimin më 6 nëntor 2019. Më vonë, Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin e çështjes për gjykim më 31 tetor 2024.
Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.










