Grushte, përleshje dhe gjak. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar momentet e sherrit të ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez 20-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendez.
Detaje të reja dalin nga dosja hetimore, ku përshkruhet minutë pas minute dinamika e konfliktit. Një nga momentet që bie në sy është ai kur Luis Mendes, në tentativë për t’u shpëtuar goditjeve të Sokrat Lipan alias Vata dhe David Heurtevent, largohet me nxitim dhe futet në det.
Sipas pamjeve të administruara në dosje, në orën 05:17:35–05:17:46, Luis Mendes largohet drejt detit, ndërsa përleshja vijon. Pak sekonda më vonë, në orën 05:18:04, ai del nga uji dhe ecën në drejtim të shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në pamje, bluza e bardhë që kishte veshur duket e gjakosur.
Si nisi përleshja
Në orën 05:14:24, nga ambientet e lokalit “Principotes” dalin disa persona, mes tyre shtetasit Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes.
Rreth një minutë më vonë, nga ana e parkimit afrohen David Heurtevent dhe Sokrat Lipan alias Vata.
Në 05:16:39, Vata përplaset me një person të veshur me të bardha dhe largohet në drejtim të shezlloneve. Pak sekonda më vonë, ai e ndjek një person tjetër drejt parkimit.
Në 05:16:54, sipas pamjeve, Vata vjen me vrap në drejtim të Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonet dhe bie në tokë. Vata e godet.
Në 05:17:14, në konflikt ndërhyn Luis Mendes, i cili shtyn me trup Sokrat Lipan alias Vata, duke e rrëzuar në tokë. Pas ngritjes, Vata i afrohet Mendes dhe nis ta godasë.
Vetëm pak sekonda më vonë, në 05:17:20, David Heurtevent bashkohet me Vatën dhe të dy godasin Luis Mendes. Në konflikt ndërhyn edhe Sudae Akhmat, i cili tenton të ndihmojë shokun e tij dhe godet Vatën.
Në 05:17:35–05:17:46, sipas dosjes, Serxhi Selimi godet me grushte Ibrahim Lemoie, ndërsa Luis Mendes largohet me nxitim drejt detit për t’u shpëtuar goditjeve që po merrte nga Vata dhe Heurtevent.
Momenti kur Mendes del nga deti
Në 05:17:53, Luis Mendes afrohet nga pjesa jugore e plazhit, në zonën ku ndodheshin kamarierët. Sipas pamjeve, ai goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe shtyhet drejt detit.
Në 05:18:04, Mendes del nga uji. Në këtë moment, kamera fikson një tjetër detaj të rëndësishëm: bluza e bardhë e turistit portugez është e gjakosur.
Ndërkohë, në 05:18:24, David Heurtevent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principotes”. Në pamje ai duket me pjesën e përparme të rrobave të gjakosura dhe, sipas dosjes, tenton të fshihet.
Në 05:20:28, largohet edhe Sokrat Lipan alias Vata. Edhe ai shfaqet me bluzën e bardhë të gjakosur, ndërsa pas tij është kamerieri Igli Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të lokalit.
Masat e sigurisë
Gjykata e Sarandës ka caktuar masën “arrest në burg” për Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen e turistit portugez. Në burg janë lënë edhe dy shtetasit turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të dyshuar se e kanë ndihmuar Vatën në tentativën për t’u larguar pas krimit. Vata u gjet në bagazhin e automjetit të tyre gjatë kontrollit në Levan të Fierit.
Masën “arrest në burg” me afat 45 ditë e kanë marrë Ervis Bunçi, Serxhi Selimi dhe Ildi Cekani.
Ndërsa ndaj policit të burgjeve Luciano Seferi, Romeo Shehu, Murat Zhabina, policit Miosid Matushaj dhe Kristi Koshit është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Në kërkim për bashkëpunim në vrasje janë shpallur Daniel Gjana dhe Bekim Bulica, pronar i lokalit “Principotes”.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë rolin e secilit prej personave të përfshirë në konfliktin që përfundoi me vdekjen e turistit portugez.










