Nis zbatimi i amnistisë penale, 1 335 të dënuar përfitojnë lirinë


Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i miratuar nga Kuvendi më 18 qershor dhe i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor.

Nga amnistia përfitojnë 1 335 persona të dënuar, mes tyre gra dhe të mitur, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë faljen e ndjekjes penale për kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.

Ligji zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim gjyqësor të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende.

Sipas parashikimeve të ligjit, lirohen burrat e dënuar me burg deri në tre vjet ose me dënime më të lehta, si dhe gratë e dënuara me burg deri në katër vjet. Përfitojnë gjithashtu edhe të burgosurit që po vuajnë dënimin dhe u kanë mbetur deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë.

Amnistia përfshin edhe burra mbi 60 vjeç, gra mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të atyre të dënuar për krime të rënda.

Nga përfitimi përjashtohen të dënuarit për vrasje me dashje, krime kundër jetës, krime kundër njerëzimit, përdhunim, krime seksuale, trafikim të qenieve njerëzore dhe vepra të tjera të rënda penale.

Po ashtu, nuk përfitojnë personat që janë arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimeve penale, si edhe të dënuarit nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo për çështje që janë në juridiksionin e SPAK-ut, pavarësisht veprës penale për të cilën janë dënuar.