Nis viti i ri shkollor, Rama uron nxënësit dhe mësuesit

Kryeministri Edi Rama ka uruar nxënësit, mësuesit, drejtuesit e institucioneve arsimore dhe prindërit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2026-2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka ndarë pamje nga disa prej shkollave të rikonstruktuara dhe të ndërtuara sipas standardeve të reja, të cilat hapin dyert për nxënësit në këtë fillim viti shkollor.

“Një vit të mbarë shkollor për nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe prindërit që i shoqërojnë fëmijët në ditën e parë të mësimit”, shprehet Rama në mesazhin e tij.

Kryeministri thekson se disa institucione arsimore kanë “rilindur” këtë vit, duke ofruar kushte më të mira dhe infrastrukturë moderne për zhvillimin e procesit mësimor.

Postimi është shoqëruar me imazhe nga ambientet e reja shkollore, ndërsa Rama u ka uruar të gjithëve një javë të mbarë dhe një vit të suksesshëm në arsim.