DRAP Fier humb mbi 9 mijë nxënës në katër vite, rënia prek të gjithë rajonin

Numri i nxënësve në rajonin e DRAP Fier ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë katër viteve të fundit. Të dhënat zyrtare të vitit shkollor 2026-2027 tregojnë se në shkollat e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës do të ndjekin mësimin gjithsej 47.777 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2022-2023 ky numër ishte 57.334.

Kjo do të thotë se rajoni ka humbur 9.557 nxënës në vetëm katër vite, ose rreth 16.7% të popullsisë shkollore.

Pavarësisht rënies së përgjithshme, qarku i Fierit vijon të mbajë peshën kryesore në rajon. Për vitin shkollor 2026-2027 në qarkun e Fierit janë regjistruar 25.951 nxënës, që përbëjnë 54% të totalit të rajonit.

Shifrat tregojnë se rënia e numrit të nxënësve po reflektohet edhe në rrjetin arsimor. Në qarkun e Fierit, një shkollë 9-vjeçare në Patos dhe gjimnazi i Levanit nuk do të hapin dyert për shkak të rikonstruksionit, ndërsa shkolla e fshatit Mizë në Divjakë nuk do të funksionojë për shkak të amortizimit të godinës.

Fenomeni është i dukshëm edhe në qarqet e tjera të rajonit. Në Selenicë nuk do të hapet shkolla e Lapardhasë pasi është regjistruar vetëm një nxënës, ndërsa në Këlcyrë një shkollë nuk do të hapet për shkak të mungesës së plotë të regjistrimeve. Një gjimnaz në Bashkinë Libohovë rrezikon gjithashtu mbylljen për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve.

Ekspertët e arsimit e lidhin këtë tendencë me rënien e lindshmërisë, emigracionin dhe lëvizjet demografike të viteve të fundit, faktorë që po ndikojnë drejtpërdrejt në numrin e nxënësve dhe në funksionimin e shkollave, veçanërisht në zonat rurale.

Ndërsa sot nis viti i ri shkollor 2026-2027, statistikat tregojnë se sistemi parauniversitar në jug të vendit po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të numrit të nxënësve, duke detyruar autoritetet të rishikojnë organizimin e rrjetit shkollor në disa zona.