Nis pastrimi i rezervuarit të Kasharit pas ngordhjes së tonelatave të peshkut

Dy ditë pas ngordhjes së tonelatave të peshkut në rezervuarin e Kasharit në Lushnje, ka nisur pastrimi i zonës dhe largimi i gjallesave të ngordhura.

Në operacion janë angazhuar forcat e ushtrisë dhe punonjës të Bashkisë Lushnje. Thasët me peshqit e ngordhur do të groposen në ish-fushën e aviacionit në Pluk, zonë e cila, sipas bashkisë, është miratuar dhe është studiuar nga specialistët për këtë qëllim.

Në terren ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ka ndjekur nga afër situatën dhe operacionin e pastrimit.

Një prej ndërhyrjeve kryesore do të jetë largimi i një rrjete të madhe peshkimi, e cila dyshohet se ka bllokuar hyrjen shkarkuese të rezervuarit dhe ka ndikuar në shkarkimin e ujit.

Shkarkimi i rezervuarit kishte nisur në kuadër të një investimi të Bashkisë Lushnje për përforcimin e shkarkuesit të ujit. Në vitin 2024, Komiteti i Digave kishte përcaktuar se diga paraqiste rrezik për çarje.

Firma “Fled” SHPK, e cila është kontraktuar për kryerjen e punimeve, kishte nisur shkarkimin e ujit rreth gjashtë muaj më parë. Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë procesit nuk ishte evidentuar sasia e madhe e peshkut që ndodhej në rezervuar, ndërsa nuk ishte identifikuar as vendndodhja e rrjetës së peshkimit.

Vlera e projektit është rreth 330 milionë lekë të vjetra, ndërsa afati i parashikuar për rehabilitimin e shkarkuesit është 120 ditë.

Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësit për situatën e krijuar. Deri më tani janë marrë në pyetje drejtues të firmës që po kryen punimet, administratori i rasatit të peshkut, si dhe personi që kishte marrë në administrim liqenin për peshkim.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat që çuan në ngordhjen masive të peshqve dhe përgjegjësit e mundshëm.