Nga nesër reduktohet me 40% transporti publik, operatorët: Situata emergjente

Shoqatat e transportit publik kanë njoftuar se duke nisur nga dita e nesërme do të reduktojnë me 40% flotën e mjeteve në qarkullim, si pasojë e vështirësive të rënda financiare në sektor.

Në një deklaratë zyrtare, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban theksojnë se, pavarësisht problematikave të ngritura prej javësh dhe takimeve me institucionet, nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse.

Sipas tyre:

  • Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit;
  • Nuk ka një plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare;
  • Nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje nga institucionet;
  • Nuk ka nisur rishikimi i elementeve fiskale që ndikojnë në kostot, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH.

Operatorët theksojnë se kjo mungesë reagimi ka përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke i vendosur në kushte të vështira për vijimin e aktivitetit.

Për këtë arsye, reduktimi i flotës konsiderohet si një masë e detyruar për të përballuar situatën emergjente.

Shoqatat u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre, ndërsa shtojnë se situata nuk është rezultat i vullnetit të operatorëve, por i mungesës së ndërhyrjes institucionale.

Ndërkohë, ata shprehen të hapur për dialog dhe kërkojnë masa të menjëhershme dhe efektive për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.