Nga 1 janari rriten pagat e policëve, 20 mijë lekë më shumë për rolin bazë
Nga 1 janari, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje pagash. Sipas burimeve, efektivët e rolit bazë do të marrin 20 mijë lekë të reja më shumë, ndërsa për punonjësit me grada më të larta, deri te drejtuesi madhor, rritja do të jetë 15 mijë lekë të reja.
Kjo masë konsiderohet si rritja më e madhe e pagave e realizuar ndonjëherë për punonjësit e Policisë së Shtetit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë cilësuar më herët këtë nismë si një rritje të konsiderueshme për efektivët e uniformave blu.
Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar, pas protestave të zhvilluara ditët e fundit në vend, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me akte dhune. Gjatë këtyre tubimeve, efektivët janë përballur me kritika dhe akuza nga protestuesit për mënyrën e menaxhimit të situatave.
Pak ditë më parë, qeveria njoftoi edhe një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të tyre gjatë situatave të vështira të krijuara nga protestat.










