Murtaja e deleve rikthehet në Shkodër, asgjësohen dhjetëra krerë dele në Dajç

Shfaqet sërish murtaja e ruminantëve të vegjël në qarkun e Shkodrës, duke rikthyer alarmin te blegtorët pas afro një viti. Rasti i parë për këtë vit është konfirmuar në njësinë administrative Dajç, ku autoritetet kanë vendosur zonën në karantinë në një perimetër prej 3 deri në 10 kilometrash.

Sëmundja është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit, në tufën e fermerit Sokol Volaj. Deri tani janë groposur rreth 20 krerë dele, ndërsa pritet të asgjësohen edhe afro 60 të tjera për të parandaluar përhapjen e virusit.

Fermeri thotë se dëmi ekonomik është i madh, duke llogaritur humbje prej rreth 10 deri në 15 milionë lekë të vjetër, ndërsa pret dëmshpërblim nga institucionet përgjegjëse.

Administratori i Dajçit, Broz Pjetrani, deklaroi se ka dyshime për raste të tjera në zonë dhe se do të kryhen kontrolle dhe analiza shtesë tek bagëtitë e imta.

Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Shkodër ka zgjeruar kontrollet edhe në zona të tjera për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes. Autoritetet sqarojnë se murtaja e ruminantëve nuk transmetohet te njerëzit, por prek vetëm kafshët.

Një vit më parë, në qarkun Shkodër u regjistruan tre vatra të kësaj sëmundjeje, duke detyruar autoritetet të asgjësonin bagëtitë e prekura dhe të vendosnin karantinë sipas protokolleve veterinare.