Moti i paparashikueshëm përfshin Evropën

Moti i paparashikueshëm përfshin Evropën

267
SHPËRNDAJE

Ditët e ngrohta me diell ja lanë vendin stuhive me shira të rrëmbyer dhe erërave të dhunshme në disa lande të Gjermanisë.  

Një stuhi e fortë goditi qytetin gjerman të Reutlingen në provincën e Baden-Wurttemberg, ku në një periudhë të shkurtër ra mbi 30 centimetra breshër. 

Pamjet e rrugëve të bllokuara nga breshëri, që në fakt ngjante sikur të kishte rënë borë, u bënë virale në rrjetet sociale, ndërsa për bërë të mundur kalimin e automjeteve u angazhuan makinat e pastrimit të borës.  

Italia po ashtu pritet të përfshihet nga një tjetër stuhi e fuqishme e cila do të jetë e dyta brenda një periudhe të shkurtër kohore. Pak javë më parë moti ekstrem me breshër dhe shira shkaktoi dëme të shumta. 

Ndërkohë, Franca dhe Spanja po luftojnë me flakët në kufijtë e tyre, të cilat janë përhapur me shpejtësi, të ndihmuar nga temperaturat e larta. Qindra zjarrfikës po luftojnë për shuarjen e flakëve, por ende nuk kanë marrë situatën nën kontroll. 

Në Spanjë autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos shpërdorojnë ujin pasi vendi po përballet me një thatësirë të tmershme. 

Mediat spanjolle shkruajnë se ndër rajonet ku alarmi i thatësirës është më i madh është Katalonja, ku vetëm dy ditë më parë u shpall një situatë emergjente në 24 komuna. Vendimi nënkupton vendosjen e kufirit prej 200 litrash të konsumit ditor të ujit për frymë. 

S'KA KOMENTE