Matematika rezulton të jetë provimi më i vështirë për maturantët e vitit 2026, referuar rezultateve të katër provimeve të Maturës Shtetërore.
Nga 25,051 maturantë që iu nënshtruan provimit të matematikës, 645 prej tyre morën notën 4.00, duke mos e kaluar provimin. Kjo përfaqëson rreth 2.6% të maturantëve dhe është përqindja më e lartë e mbetësve mes katër provimeve.
Matematika ka regjistruar gjithashtu notën mesatare më të ulët, në nivelin 6.74.
Në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, mbetësit përbënin rreth 1.3%, ndërsa në gjuhën e huaj rreth 1.5%. Rezultatet më të mira janë regjistruar në lëndët me zgjedhje, ku vetëm 247 nga 25,079 maturantë morën notën 4.00, ndërsa nota mesatare ishte 7.73.
Edhe gjuha e huaj pati rezultate të larta, me një mesatare prej 7.68, ndërsa Gjuhë-Letërsia u rendit me mesatare 7.26.
Sa i përket notës maksimale, matematika pati 241 nota 10, ndërsa në lëndët me zgjedhje u regjistruan 232 nota 10. Në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, vetëm 27 maturantë arritën rezultatin maksimal.
Në total, në katër provimet e Maturës Shtetërore 2026 janë regjistruar 1,584 nota 4.00 dhe 635 nota 10.00.
Renditja e provimeve sipas notës mesatare:
- Lëndët me zgjedhje – 7.73
- Gjuhë e huaj – 7.68
- Gjuhë Shqipe dhe Letërsi – 7.26
- Matematikë – 6.74







