Marta Kos: Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE mund të nënshkruhet në 2028, anëtarësimi deri në 2030

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, ndërsa traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet që në vitin 2028, nëse vendi vijon me ritmin aktual të reformave dhe merr miratimin e shteteve anëtare.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Kos theksoi se nëse Shqipëria arrin të përmbushë reformat e kërkuara dhe vendet anëtare japin dritën e gjelbër, negociatat mund të jenë pranë përfundimit rreth fundit të vitit të ardhshëm.

Sipas saj, pas mbylljes së negociatave, hapi tjetër do të jetë krijimi i grupit të punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit, i cili, nëse procesi ecën sipas parashikimeve, mund të nënshkruhet në vitin 2028. Më pas do të vijojë procesi i ratifikimit, me synimin që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka një datë fikse, pasi procesi varet jo vetëm nga përmbushja e detyrimeve nga vendi kandidat, por edhe nga vendimmarrja unanime e 27 shteteve anëtare.

Rama solli si shembull periudhat kur, pavarësisht vlerësimeve pozitive të Komisionit Europian për reformat e Shqipërisë, një prej vendeve anëtare ka kundërshtuar avancimin e procesit.

Kreu i qeverisë e cilësoi integrimin europian si një mundësi për ndërtimin e institucioneve dhe shtetit që u nevojitet qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë të përmbushë detyrat e saj pavarësisht afateve të anëtarësimit.