Marta Kos: Mbyllim negociatat më 2027, më pas do t’i ngjitem Korabit me kryeministrin

Humori nuk mungoi gjatë konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, shkëmbyen batuta lidhur me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Teksa u ndal te objektivi i qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, Marta Kos tha me humor se pas këtij momenti do t’i ngjitet malit të Korabit së bashku me kryeministrin Rama.

“Kur flasim për datën, ju them që mbështesim vizionin e qeverisë së Shqipërisë deri në fund të 2027 dhe më pas do t’i ngjitem Korabit së bashku me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse shtesë që kam pasur deri më sot”, deklaroi Komisionerja Europiane.

Kryeministri Rama iu përgjigj me një tjetër batutë, duke propozuar që “ngjitja” të bëhej në Kullën Eiffel, në momentin kur Franca të japë miratimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Mund të bëjmë një kompromis, mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel kur Franca të thotë ‘mirë se erdhët në klub’, është më e vështirë se Korabi”, u shpreh Rama.