Lushnjë/ Vr*t nënën me sq*par dhe pl*g*s rëndë babanë, policia në kërkim të 45-vjeçarit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën dhe ka plagosur rëndë babanë e tij.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 21:20, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se ka goditur me një send metalik prerës, një sqepar, nënën e tij F. D., 80 vjeçe. Për shkak të plagëve të marra, e moshuara ka humbur jetën.

Po ashtu, 45-vjeçari dyshohet se ka plagosur rëndë babanë e tij, H. D., 77 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga banesa. Policia ka nisur kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Sipas autoriteteve, 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.