Leku dominon tregjet financiare në Shqipëri, euro mbetet në segmente të kufizuara

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), monedha vendase, leku, vijon të dominojë tregjet financiare në Shqipëri, ndërsa përdorimi i euros mbetet i pranishëm vetëm në disa segmente të caktuara.

Në tregun e sigurimeve, rreth 27.8% e primeve janë realizuar në euro, një rënie e lehtë krahasuar me një vit më parë. Në sigurimet e jetës, përdorimi i valutës së huaj ka pësuar ulje më të ndjeshme, duke zbritur nga 26.5% në 19%.

Edhe në strukturën e depozitave të shoqërive të sigurimit, leku ka peshën kryesore me rreth 63%, ndërsa 37% mbetet në valutë të huaj, ku euro zë shumicën dërrmuese të këtyre fondeve.

Në tregun e kapitaleve, aktiviteti është pothuajse tërësisht i orientuar në lekë. Titujt shtetërorë dhe transaksionet në bursë kryhen në monedhën vendase, ndërsa gjatë vitit 2025 nuk janë regjistruar transaksione në valutë për obligacionet qeveritare.

Megjithatë, euro vijon të ketë rol në tregun e obligacioneve private, ku rreth 58% e tyre janë të emetuara në euro, duke reflektuar ende varësi të bizneseve nga financimi në valutë të huaj.

Në fondet e investimit, pjesa dërrmuese e aseteve, rreth 89%, është në lekë, ndërsa vetëm 10.7% në euro.

Në tërësi, raporti thekson se përdorimi i valutave të huaja lidhet kryesisht me investimet dhe financimet ndërkombëtare, ndërsa tregjet shqiptare po konsolidohen gjithnjë e më shumë mbi monedhën kombëtare.