Kushner reagon për projektin e Zvërnecit: Toka u ble për 230 milionë euro, investimi mund të arrijë në 4 miliardë euro

Jared Kushner ka reaguar ndaj artikujve të publikuar në mediat amerikane lidhur me projektin e zhvillimit turistik në Zvërnec, duke kundërshtuar pretendimet se toka i është dhënë falas nga qeveria shqiptare dhe duke paraqitur argumentet e tij për investimin, ndikimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në reagimin e tij, Kushner deklaron se toka është blerë nga një palë private për 230 milionë euro, nëpërmjet një transaksioni që, sipas tij, e rendit ndër më të lartët në rajon për prona të kësaj përmase. Ai thekson se dokumentacioni i pronësisë është shqyrtuar nga këshilltarët ligjorë.

Sipas Kushner, projekti nisi si një investim privat, i mbështetur në besimin te potenciali turistik dhe ekonomik i Shqipërisë. Ai vlerëson se, nëse realizohet me sukses, investimi mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro, duke gjeneruar vende pune, aktivitet ekonomik dhe rritur prezencën ndërkombëtare të vendit.

“Qëllimi nuk ka qenë kurrë thjesht zhvillimi i tokës, por krijimi i diçkaje që mund të bëhet një platformë për mundësi dhe rritje afatgjatë për Shqipërinë”, shprehet Kushner, duke bërë të ditur se për më shumë se tre vjet janë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për studimin e terrenit, mjedisit dhe nevojave të rajonit.

Ai sqaron se në projekt janë përfshirë arkitektë, projektues, inxhinierë dhe ekspertë mjedisorë, ndërsa përmend si partnerë familjen Kastrati, sipërmarrësit Ramez dhe Moutaz Alkhayyat, si dhe Asher Abehsera, i cili, sipas tij, ka drejtuar punën e përditshme të projektit gjatë katër viteve të fundit.

Duke iu referuar shqetësimeve për ndikimin mjedisor, Kushner deklaron se ambicia është që zhvillimi të realizohet sipas standardeve të larta të projektimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Ai shprehet se synimi është që zona të mbetet më e gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe me një gjendje më të mirë mjedisore.

Megjithatë, në reagimin e tij, Kushner pranon se projekti duhet t’u nënshtrohet proceseve përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vijuar. Ai thekson gjithashtu se komuniteti lokal në Vlorë është përfshirë në diskutimet për projektin dhe se shqetësimet e qytetarëve janë legjitime.

Kushner kundërshton edhe pretendimet se projekti lidhet me përpjekje për të përfituar favore nga Presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tij, interesi për investimin nisi në verën e vitit 2021, përpara se Trump të shpallte kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Sa i përket aeroportit të përmendur në artikujt mediatikë, Kushner pretendon se ai ishte miratuar përpara se të njihej për herë të parë me projektin dhe se kjo ishte një nga rrethanat që ndikuan në interesin e tij për potencialin e zonës.

Në përfundim, Kushner thekson se vendimi për vijimin e projektit i takon Shqipërisë. Ai shprehet se shpreson që investimi, nëse merr miratimet e nevojshme, të krijojë një destinacion turistik që do të shërbejë për breza të tërë.

Reagimi vjen në një kohë kur projekti i Zvërnecit është në qendër të debatit publik për investimet strategjike, procedurat e zhvillimit të territorit dhe ruajtjen e zonave me vlera të veçanta natyrore.