Kush përfiton pagesa nga jashtë, do paguajë detyrime

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik dy projektligje të reja që synojnë forcimin e luftës kundër evazionit fiskal dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji i parë, “Për raportimin e pagesave ndërkufitare dhe krijimin e sistemit elektronik të informacionit mbi këto pagesa”, synon të rrisë kontrollin mbi transaksionet ndërkufitare, veçanërisht në kushtet e zgjerimit të tregtisë elektronike. Ai parashikon krijimin e një sistemi elektronik informacioni, në përputhje me sistemin evropian CESOP, për të identifikuar subjektet që shmangin detyrimet e TVSH-së dhe për të përmirësuar analizën e riskut nga administrata tatimore.

Sipas Ministrisë së Financave, zbatimi i këtij projektligji pritet të rrisë transparencën e pagesave ndërkufitare, të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën tatimore dhe të ketë një kosto prej rreth 8 milionë eurosh për ngritjen e sistemit elektronik.

Paralelisht është hedhur për konsultim edhe projektligji “Për ndihmën e ndërsjellë në mbledhjen e detyrimeve që rrjedhin nga tatimet, detyrimet doganore dhe detyrime të tjera”. Ky draft krijon bazën ligjore për bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të vendeve anëtare të BE-së në identifikimin e debitorëve, lokalizimin e pasurive, njoftimin e akteve administrative dhe mbledhjen e detyrimeve të papaguara.

Sipas projektligjit, detyrimet tatimore dhe doganore nuk do të mund të shmangen përmes transferimit të pasurive apo zhvendosjes së debitorëve jashtë vendit ku ka lindur detyrimi, duke rritur efektivitetin e mbledhjes së të ardhurave publike dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërkufitar me Bashkimin Evropian.Por :

  • Një person që merr pagë nga një kompani jashtë vendit, nëse kjo është e deklaruar dhe trajtohet sipas rregullave tatimore, nuk do të thotë automatikisht se ka një detyrim të ri.
  • Një familjar që merr para nga emigrantët (remitanca), si ndihmë familjare, nuk trajtohet njësoj si të ardhura nga biznesi dhe nuk është qëllimi i këtij ligji t’i taksojë këto dërgesa.
  • Një biznes ose individ që shet mallra/shërbime online jashtë Shqipërisë dhe nuk deklaron të ardhurat, mund të identifikohet dhe të ketë detyrime tatimore.

Pra, fokusi kryesor është zbulimi i të ardhurave të padeklaruara nga aktiviteti ekonomik, jo taksimi i çdo transferte parash që vjen nga jashtë.