Avokati Kujtim Cakrani ka njoftuar ndërprerjen e përfaqësimit ligjor të ish-presidentit Ilir Meta në procesin penal që po zhvillohet në GJKKO.
Përmes një deklarate publike, Studio Ligjore “Cakrani” bëri me dije se kishte marrë përsipër mbrojtjen e Metës më 24 maj 2025, duke theksuar se bashkëpunimi ishte zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim në mbrojtje të interesave të klientit.
Sipas deklaratës, vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit ka ardhur si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm mes klientit dhe avokatit, situatë që u reflektua veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore.
Cakrani sqaron se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionin në fuqi, duke theksuar se nuk ka asnjë konflikt interesi apo përplasje personale mes palëve.










