Ku janë studentët?!

Ku janë studentët?!

61
SHPËRNDAJE
Nga 2011-a e deri në këtë vit akademik, numri i studentëve që regjistrohen në vitin e parë në universitet ka rënë me 43%. Reduktimi i lindjeve dhe emigracioni i përqendruar te moshat e reja pritet ta çojnë totalin e studentëve në 50-60 mijë në vitin 2033 nga rreth 120 mijë aktualisht. Reduktimi është shoqëruar me përmirësim të orientimit për degët që ka treg pune. Ekspertët e arsimit thonë se nuk është koha për panik, pasi ulja e numrit të studentëve duhet të rrisë cilësinë e studimeve. Historia në numra e universiteteve shqiptare, degët më të kërkuara dhe ato që rrezikojnë të mbyllen

Volumi i punës në universitetet e vendit është duke pësuar rënie drastike vit pas viti, prej pakësimit të grupmoshave të reja të popullsisë dhe emigrimit në nivele të larta te të rinjve vitet e fundit.

Numri maksimal i studentëve që pritet të regjistrohen këtë vit të ri akademik në programin bachelor në publik dhe privat është më pak se 20 mijë, nga rreth 28 mijë maturantë gjithsej.

Nga viti 2011 e deri në këtë vit, numri i studentëve që regjistrohen në vitin e parë ka rënë me 43%, sipas krahasimeve me të dhënat zyrtare të statistikave të arsimit. Këtë vit akademik, gati një e treta e maturantëve zgjedhin të mos vazhdojnë, ose të ikin për studime jashtë.

Zhvillimet demografike paralajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të kemi sërish përgjysmim të numrit të studentëve.

Rënia e lindjeve dhe emigracioni i përqendruar te moshat e reja pritet ta çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2033 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin e kaluar.

Rënia e numrit të studentëve po tkurr volumin e punës në universitete, por kjo tendencë nuk duhet konsideruar si një sfidë, por një shans për të rritur cilësinë e studimeve në universitetet dhe për t’iu kthyer atyre funksionet që u takojnë në dije dhe në angazhimin në shkencë, thotë ish-ministri Arsimit, Myqerem Tafaj, tani anëtar i trupës akademike në vend.

Rënia e numrit të studentëve, rritja e pagave të stafit akademik, rritja autonomisë dhe fondeve për kërkimin shkencor do të rrisë cilësisë në universitete.

Zoti Tafaj thotë se rritja e cilësisë mund frenojë fluksin e studentëve që ikin jashtë vendit dhe në afat të gjatë të mund të bëhemi tërheqës për studentët e huaj.

Burimi: INSTAT

Ekspertët mendojnë se nuk ka vend për alarm, nëse disa degë nuk kanë mjaftueshëm të interesuar, pasi sot, në të gjithë botën, studimet orientohen në bazë të nevojave globale të tregut të punës.

Zhvillimet demografike dhe ato teknologjisë tregojnë se në dekadat në vijim, degët e TIK-ut dhe të shëndetit do të jenë ofruesi i madh i vendeve të punës në të gjithë botën.

Kjo tendencë po vihet re edhe në universitetet shqiptare, në të cilat, në vitet e fundit, ka një përqasje më të mirë për të zgjedhur degët që kanë më shumë perspektivë me tregun e punës, si degët mjekësisë, informatikës dhe ato që lidhen me arkitekturën dhe zhvillimin urban.

Kurba në rënie e universitetit

Në vitin 1950, Shqipëria kishte vetëm një universitet në të cilin studionin 300 studentë dhe gjithsej ishin 13 pedagogë, teksa popullsia e vendit ishte vetëm 1,2 milionë banorë, sipas të dhënave historike zyrtare mbi arsimin e lartë.

Ekonomia e centralizuar e regjimit komunist kishte kërkesa të mëdha për specialistë të të gjitha fushave, ndaj dy dekada më vonë, në vitin 1970, numëroheshin gjithsej 5 universitete, me 26 mijë studentë, kurse popullsia e vendit kishte arritur në më shumë se 2 milionë banorë.

Në vitin 1990, kur nisi përmbysja e regjimit, ishin gjithsej 8 universitete me 27 mijë studentë dhe trupa akademike numëronte 1806 pedagogë, kurse popullsia e vendit ishte gati 3,2 milionë banorë.

Pas viteve 1990, struktura e ekonomisë ndryshoi me përqasje ndaj tregut të lirë dhe liberalizimi i ekonomisë u shoqërua edhe me hapjen e studimeve në universitete, jo më sipas planifikimit të para viteve 1990, por sipas preferencave të të rinjve.

Kulmi arriti në vitin akademik 2013-2014, kur numri i studentëve arriti më shumë se 176 mijë, në mbi 24 universitete, ku gati gjysma ishin private.

Rritja e numrit të studentëve shkoi në degë që nuk kishin lidhje me tregun e punës. Programe të tilla si shkencat politike, sociologji, punë sociale, komunikim dhe drejtësi morën një numër të lartë studentësh, ndërsa tregu i punës po orientohej në drejtime të tjera si tregtia, shërbimet, ndërtimi, energjia, telekomunikacioni.

Mentaliteti se duhet shkolla e lartë krijoi një inflacion diplomash të cilat nuk u përkthyen në profesione. Shumica e të rinjve të diplomuar në dy dekadat e fundit u punësuan në call center dhe kamerierë në njësitë e shërbimeve, si rrjedhojë e mospërputhjes së shkollës me diplomën.

Zhvillimet në arsimin e lartë në dy dekadat e fundit i kanë bërë më skeptikë maturantët. Nga viti 2016 deri në vitin 2022, një fluks i lartë të rinjsh kanë emigruar dhe ky fenomen, bashkë me rënien e lindjeve vite më parë, po sjell ulje të numrit të studentëve.

Vitin e kaluar, sipas INSTAT, në universitetet vendase ishin të regjistruar rreth 121 mijë studentë dhe rreth 9600 pedagogë.

Siç shihet, numri i studentëve, universiteteve dhe pedagogëve është rritur me shpejtësi në tre dekadat e fundit, por bizneset kanë ngritur shqetësimin se burimet njerëzore janë një problem i madh në aktivitetin e tyre.

Bizneset duhet të harxhojnë muaj të tërë për trajnime, pasi programet e studimeve shpesh nuk u përgjigjen kërkesave të kohës.

Burimi: Ministria e Financave dhe e Arsimit
Grafiku është vetëm për referencë, sepse përpara vietve ’90, hyrja në universitete ishte e kufizuar

Nis të përmirësohet lidhja e universitetit me tregun e punës

Struktura e ekonomisë në dekadën e fundit dominohet nga bujqësia, shërbimet dhe ndërtimi, por rreth 65% e studentëve në vitin 2017 studionin në degët e ekonomikut, juridikut, shkencave sociale dhe arsimit.

Pesë vite më pas, orientimi është më i mirë drejt degëve që afrohen me tregun e punës. Për shembull, degët që lidhen me shëndetin u zgjodhën nga 18.5% e studentëve vitin e kaluar, nga 15% në vitin 2018.

Ndërsa në degën e inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit ishin 19% e totalit të studentëve më 2022, nga 14% në vitin 2018.

Paralelisht ka rënë interesi për degët e arsimit, në të cilat vitin e kaluar ishin të regjistruar 6% e studentëve gjithsej nga 7% në 2018. Në degët e arteve dhe shkencave humane, në vitin 2022, ishin 6% e studentëve gjithsej, nga mbi 10% në vitin 2018.

Profesor Tafaj tha se, pavarësisht problematikave që po kalon tregu vendas i punës, universitetet shqiptare, por edhe të rinjtë duhen të orientohen drejt kërkesave globale.

Ka një përqasje më të mirë të të rinjve, pasi gjithnjë e më shumë ata po zgjedhin degë për të cilat ka punë që sigurojnë edhe të ardhura më të larta.

Edhe gjatë këtij viti akademik ka një orientim të lartë ndaj degëve të teknologjisë, inxhinieritë dhe degëve të shëndetit.

Ekspertët e arsimit rekomandojnë se, për të vlerësuar me saktësi lidhjen e universitetit në Shqipëri me tregun e punës, është e rëndësishme të analizohen thellësisht programet akademike, bashkëpunimi me industrinë dhe suksesi i arritur nga studentët në tregun e punës.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një sistem arsimor që përmbush më mirë kërkesat e një shoqërie në ndryshim të vazhdueshëm.

Profesor Tafaj thotë se shumica e programeve në ciklin e parë të studimeve bachelor kanë mbetur të pandryshuara në 20 vitet e fundit edhe në degët në të cilat tregu i punës ka nevojë.

Për shkak të mosazhurnimit të programeve me kërkesat e kohës, shumë studentë, pasi mbarojnë ekonomikun, duhet të trajnohen për një vit me radhë për të punuar në një nga drejtimet që kërkon biznesi në Shqipëri.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Financimi për arsimin e lartë, 50% poshtë normës

Në vitin 2022, financimi buxhetor për arsimin e lartë ishte 10,8 miliardë lekë, ose 8% më pak se në vitin 2021. Financimi ishte sa 0.5% e PBB-së, nivel ky sa gjysma e normës prej 1% që aplikojnë aktualisht shumica e vendeve të Europës.

Me numër studentësh në tkurrje, Shqipëria ka mundësi t’i rikthehet rritjes së cilësisë, duke zgjedhur pedagogë me nivel të lartë dhe të mirëpaguar, të cilët të jenë në gjendje të zhvillojnë shkencën. Fondet për shkencën aktualisht janë joekzistente.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, për vitin 2023, fondet për shkencën parashikohet të arrijnë në masën 0.084% ndaj PBB-së.

Një projektligj i ri për shkencën që është në fazën e konsultimit publik, synon që në vitin 2026, të rrisë masën e financimit në 0.15% e PBB, si dhe në vitin 2030 synon të arrijë në masën 0.1% e PBB.

Trupa akademike në universitetet shqiptare, si të gjithë funksionet e tjera publike, është e nënpaguar. Pedagogët janë në dy apo tre punë dhe puna në universitet mund të jetë angazhimi i fundit për shumë prej tyre, pohon zoti Tafaj.

Në shumë raste, cilësia e mësimdhënies cenohet rëndë nga ky fakt. Rritja e pagave në bazë të performancës mund të rrisë cilësinë.

Cilësia e trupës akademike ndër të tjera mund të përmirësohet ndjeshëm nga angazhimi i profesorëve shqiptarë që aktualisht japin leksione në uuniversitetet më të mira të Europës.

Burimi: Ministria e Financave dhe e Arsimit

Ulen kuotat, por përmirësohet përzgjedhja

Vit pas viti, kuotat e pranimit në universitetet shqiptare ulen, nisur nga shifrat e pjesëmarrjes në vitet paraardhëse. P.sh. në Universitetin e Tiranës këtë vit kishte vetëm 4707 kuota, nga më shumë se 5000 në vitin 2022, ku në raundin e parë mbetën gati 40% të paplotësuara.

Nga 12 universitetet publike këtë vit ishin në dispozicion 19,855 kuota, për të cilat në raundin e parë u plotësuan vetëm 9,321, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Në vitin 2017, ishin mbi 40 mijë kuota në të gjitha universitetet publike dhe private.

Universitetet në rrethe si Gjirokastër, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, në raundin e parë kishin gati 60% të kuotave të paplotësuara.

Nga të gjithë universitetet, pjesëmarrja më e lartë ishte në Universitetin e Mjekësisë, ku në raundin e parë mbetën të lira më pak se 9% të kuotave, këto për degët e infermierisë.

Në Universitetin e Tiranës, programi i studimit që kishte më shumë interes ishte informatika, financa, informatika ekonomike dhe drejtësia që pothuajse ezauruan kuotat që në raundin e parë.

Ndërsa degët që kishin më pak interes ishin gjuhët e huaja, ku në raundin e parë mbeten mbi 90% të kuotave të lira.

Gjithashtu degë si shkencat politike, fizika, historia, gjuhë -letërsia, arkeologjia, biologjia, filozofia kishin mbi 70-80% të kuotave të lira në raundin e parë.

Në Universitetin Politeknik ishin më të kërkuara degët e arkitekturës, me të gjitha kuotat e plotësuara që në raundin e parë. Gjithashtu kuotat në inxhinierinë informatike, mekanike, elektrike pothuajse u ezauruan.

Programet më pak të kërkuara në Universitetin Politeknik ishin inxhinieria matematike, ku mbeten 88% të kuotave të lira, inxhinieria fizike me 92% të kuotave të lira, inxhinieria e gjoemjedisit, inxhinieria materiale dhe inxhinieria e burimeve minerare, që kishin mbi 80% të kuotave të paplotësuara në raundin e parë.

Në Universitetin e Mjekësisë u plotësuan të gjitha kuotat në programin mjekësi e përgjithshme në raundin e parë.

Në Universitetin Bujqësor, që këtë vit u aplikua instrumenti nxitës i bursës rreth 40 mijë lekë në muaj për disa programe prioritare, në raundin e parë mbetën gati 55% të kuotave të lira.

Degët më të kërkuara ishin informatikë biznesi, financë, kontabilitet dhe mjekësi veterinare dhe më pak të kërkuara ishin inxhinieria pyjore, hortikultura, zooteknika, agroteknika, inxhinieri agrare, zooveteriner, kopshtari, agrobiologji etj., ku mbetën 80 deri në 90% të kuotave të lira në raundin e parë.MONITOR

S'KA KOMENTE