Ksamil/ Hyri me skaf në zonën e notimit, bllokohet mjeti për 60 ditë dhe gjobitet pronari me 500 mijë lekë

Një mjet lundrues është bllokuar për 60 ditë në Ksamil, ndërsa pronari i tij është ndëshkuar me gjobë prej 500.000 lekësh, pasi skafi hyri në zonën e përcaktuar për notim, duke shkelur perimetrin e sigurisë të vendosur me tapa kufizuese.

Sipas Policisë Kufitare, shkelja u konstatua gjatë kontrolleve në vijën bregdetare. Shërbimet policore i dhanë sinjal drejtuesit të mjetit për të ndaluar, por ai nuk iu bind urdhrit për verifikimin e dokumentacionit.

Për këtë shkelje, ndaj pronarit të skafit, shtetasit me iniciale A. M., banues në Ksamil, u vendos masa administrative e bllokimit të mjetit lundrues për 60 ditë, si dhe gjobë në vlerën 500.000 lekë.

Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të lundrimit dhe të perimetrave të sigurisë, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve në zonat bregdetare.