Korridori Blu/ Milot-Fier merr formë, nga Thumanë-Kashar te nisja e punimeve në Kashar-Lekaj

Miratimi i projektit të zbatimit për aksin Kashar-Lekaj dhe njoftimi se punimet pritet të nisin brenda këtij viti rikthen në fokus ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, autostradën Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

Autostrada shtrihet në rreth 114 kilometra dhe është ndarë në katër segmente: Milot-Thumanë, Thumanë-Kashar, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.

Segmenti më i avancuar është Thumanë-Kashar, me gjatësi 21 kilometra, ku punimet kanë përfunduar dhe aksi është hapur për qarkullimin e automjeteve.

Për tre segmentet e tjera janë lidhur kontrata koncesionare 35-vjeçare.

Milot-Thumanë, me gjatësi 13.5 kilometra, do të ndërtohet nga konsorciumi i kryesuar nga “Gener 2”, e njëjta kompani që realizoi edhe segmentin Thumanë-Kashar. Projekti parashikon ndërhyrje në gjurmën ekzistuese dhe përmirësimin e saj sipas standardeve të kategorisë A.

Kashar-Lekaj, fitues është bashkimi i shtatë operatorëve “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”. Investimi i parashikuar kap vlerën e rreth 474.9 milionë euro pa TVSH.

Gjurma e plotë e këtij seksioni është rreth 33.6 kilometra, ndërsa kontrata koncesionare përfshin 26.6 kilometra. Rreth 7 kilometra përkojnë me Bypass-in e Tiranës dhe do të financohen nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, Lekaj-Fier, me gjatësi rreth 46 kilometra, do të realizohet nga bashkimi i tetë operatorëve “Fusha”, “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa”, “Ante-Group”, “Klodioda”, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera”.

Bypass-i i Tiranës, pjesë e rëndësishme e projektit

Paralelisht po vijon edhe puna për Bypass-in e Tiranës, i cili do të ketë një gjatësi totale prej rreth 21.6 kilometrash. Nga kjo gjatësi, rreth 7 kilometra përkojnë njëkohësisht me gjurmën e autostradës Milot-Fier.

Aktualisht po punohet në dy fazat e para të bypass-it, me një gjatësi të kombinuar prej rreth 8.2 kilometrash dhe kontrata me vlerë totale rreth 5.9 miliardë lekë.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për fazën e tretë, me fond limit prej 1.55 miliardë lekësh. Kjo fazë përfshin edhe nyjen lidhëse me autostradën Tiranë-Durrës.