Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar projektligjin për reformën e re administrative-territoriale, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij në seancë plenare.
Projektligji u miratua me votat e tetë deputetëve të Partisë Socialiste të pranishëm në mbledhje. Asnjë deputet nuk votoi kundër dhe nuk pati abstenime.
Në momentin e votimit, në komision nuk ishte i pranishëm asnjë deputet i opozitës, e cila ka bojkotuar procesin parlamentar për këtë nismë.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji vijon procedurat parlamentare për t’u përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit.
Votimi përfundimtar pritet të zhvillohet në seancën plenare të së enjtes, më 8 tetor. Reforma ka shkaktuar kundërshtime nga opozita dhe grupe të interesit, të cilat kanë paralajmëruar reagime ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen administrative-territoriale të vendit.










