Këshilli Bashkiak Fier do të zhvillojë mbledhjen e radhës më 30 prill 2026, në orën 13:00, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe një çështje që pritet të ngjallë debat, ajo e mocionit për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë për anëtarët e këshillit, kryetarin e Bashkisë Fier dhe prefektin e qarkut, mbledhja do të mbahet në sallën e Këshillit Bashkiak dhe do të shqyrtojë pesë pika kryesore.
Fillimisht këshilltarët do të votojnë për miratimin e rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së zhvilluar më 31 mars 2026. Më pas, pika e tretë parashikon shqyrtimin e kërkesës për mocion për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak Fier.
Në mbledhje do të diskutohet gjithashtu edhe projektvendimi për dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar 6% për muajin mars 2026, si dhe një projektvendim tjetër për mbështetje financiare për familjen e shtetasit Sazan Allajbeu, banues në Portëz, banesa e të cilit është dëmtuar nga zjarri i datës 12 mars.
Paralelisht me këtë zhvillim, rezulton se kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, i kishte drejtuar një kërkesë zyrtare kryetares së Këshillit për thirrjen e mbledhjes brenda datës 30 prill, me qëllim shqyrtimin e ndihmës ekonomike për muajin mars.
Në përgjigjen zyrtare, kryetarja e Këshillit ka bërë me dije se mbledhja ishte planifikuar më herët për datën 30 prill dhe se propozimi i Bashkisë i është përcjellë Kryesisë së Këshillit për përfshirje në rendin e ditës.
Përfshirja e mocionit për shkarkimin e kryetares pritet ta kthejë këtë mbledhje në një nga më të debatueshmet e muajve të fundit në Këshillin Bashkiak Fier.










