Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar se të gjitha seancat gjyqësore të planifikuara për sot, më 9 tetor 2026, nuk do të zhvillohen, pas mbërritjes së një e-maili kërcënues.
Përmes një njoftimi zyrtar, gjykata bën me dije se aktualisht strukturat përgjegjëse po kryejnë verifikimet përkatëse për të vlerësuar situatën.
Ndërkohë, palët në proceset gjyqësore do të njoftohen nga sekretaria gjyqësore për datat e reja të seancave, të cilat do të caktohen në vijim.
Njoftimi vjen në një kohë kur edhe institucione të tjera kanë raportuar marrjen e mesazheve elektronike kërcënuese për vendosjen e bombave, ndërsa Policia po kryen verifikimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për alarme të rreme.










