Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka ushtruar kontrolle në klinika private dhe qendra shëndetësore publike në të gjithë vendin, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish në ofrimin e shërbimeve.
Sipas raportit zyrtar për vitin 2025, janë kryer gjithsej 3,577 inspektime, nga të cilat janë vendosur 7 gjoba, janë marrë 5 masa urgjente dhe janë dhënë 273 paralajmërime ndaj ofruesve të shërbimit shëndetësor parësor, publik dhe privat.
Gjobat janë regjistruar kryesisht në Tiranë (5 raste) dhe në Korçë (2 raste). Ndërkohë, numrin më të lartë të paralajmërimeve e ka qarku i Gjirokastrës, i ndjekur nga Fieri, Vlora dhe Durrësi.
Gjatë kontrolleve në klinika dhe laboratorë privatë janë konstatuar problematika si mungesa e ambienteve të posaçme për marrjen e gjakut dhe mungesa e licencave për ushtrimin e profesionit. Në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor, si publike ashtu edhe private, janë evidentuar mangësi që lidhen me mungesën e hapësirave të përshtatshme për shërbim, pajisjeve mjekësore të domosdoshme, si dhe amortizimin e ndërtesave.
Shërbimi shëndetësor parësor mbetet pika e parë e kontaktit për qytetarët në rastet e problemeve shëndetësore, çka e bën edhe më të rëndësishëm përmbushjen e standardeve në këtë nivel të sistemit.










