Instituti i Gjeoshkencës ka paralajmëruar rrezik të lartë për zjarre në disa qarqe të vendit gjatë ditës së sotme dhe nesër.
Sipas IGJEO-s, niveli më i lartë i rrezikut pritet në qarqet Lezhë, Durrës dhe Fier, ndërsa në Shkodër, Tiranë, Berat dhe Vlorë parashikohet rrezik i moderuar, me zona të caktuara ku situata mund të jetë lokalisht e lartë.
Ndërkohë, në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër pritet nivel i ulët rreziku.
Alarmi vjen pas zjarrit të madh në malin e Shëngjinit, ndërsa në Lezhë janë raportuar edhe tre vatra të tjera aktive.
IGJEO thekson se situata më kritike pritet gjatë ditës së nesërme. Sipas parashikimeve, nuk priten reshje shiu, ndërsa temperaturat do të mbeten të larta, duke arritur deri në 34°C në zonat e ulëta.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, por në momente të caktuara në zonat malore dhe bregdetare mund të jetë e fortë.










