Dy persona janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia e Shtetit gjatë një operacioni të zhvilluar në aksin rrugor “Mamurras-Laç”, pasi dyshohet se tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej të arrestuarve është Leonard Dema, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për veprën penale “tentativë vrasjeje”.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, Dema, i cili udhëtonte me automjet së bashku me shtetasin A.F., 28 vjeç, ka tentuar të largohet duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Sipas autoriteteve, personi që e shoqëronte ka drejtuar armën e zjarrit ndaj punonjësve të Policisë, ndërsa shërbimet policore kanë ndërhyrë në kushtet e vetëmbrojtjes për neutralizimin e tyre.
Gjatë operacionit mbeti i plagosur Leonard Dema, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.
Në pranga ka rënë edhe shtetasi A.F., ndërsa Policia sekuestroi armën e zjarrit tip pistoletë që ai posedonte.
Operacioni u realizua pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të aksioneve për kapjen e personave në kërkim.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.










