Historia e Pranverës nga Fieri:Në moshën 7-vjeçare asaj i thanë se ishte...

Historia e Pranverës nga Fieri:Në moshën 7-vjeçare asaj i thanë se ishte gjetur në një kosh mbeturinash

1687
SHPËRNDAJE

Historia e Pranverës është krejtësisht e ndryshme nga rrëfimet e birësimit që janë transmetuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo kontakton prej 7 vitesh me stafin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me shpresën se një ditë do të mësojë të vërtetën e prejardhjes së saj.

Përpara se të birësonte vajzën, drejtoresha e jetimores i tha babait se fëmija ishte e sëmurë. Gjithsesi, në moshën 3-vjeçare Pranvera u bë pjesë e një familjeje që i dhuroi të gjithë dashurinë që mundej.

Por në moshën 7-vjeçare asaj i thanë se ishte gjetur në një kosh mbeturinash, një fjali që e përndoqi deri në moshën 30-vjeçare kur prindër birësues i rrëfyen të vërtetën.

Nga ai çast, nisi kërkimi i familjes së saj biologjike dhe prej 7 vitesh që Pranvera kontakton me programin, ka mësuar të dhëna të ndryshme. Ajo ka arritur të kontaktojë me atë që dyshon se është familja biologjike, por kjo e fundit nuk ia ka pranuar apo mohuar diçka të tillë.

Ata e kanë refuzuar kërkesën e saj për testin e ADN-së, edhe pse Pranvera mendon se ngjason shumë me ta. Në mes të të dhënave që ka mësuar përgjatë viteve, është edhe një emër që ajo e ka përjetësuar si tatuazh në kyçin e dorës.
Pranvera: Kishim marrë informacione që familja ime ndodhej në Tepelenë, me të njëjtin mbiemër, Hoxha. Ishin Nexhmije dhe Luftim Hoxha në certifikatën ku babi kishte marrë dhe drejtoresha i kishte thënë që kanë qenë burrë edhe grua bashkë. Babi me mamin kur e morën në dorë thanë si ka mundësi, bashkëshortë burrë edhe grua paskan braktisur një vajzë? Arsyeja që kjo i kishte thënë që kjo ka qenë e sëmurë dhe e kishin deklaruar të vdekur.

Ardit Gjebrea: Për ty?

Pranvera: Po, por që faleminderit Zotit jam shëndoshë e mirë. Më pas në bazë të këtyre informacioneve që babi kishte, unë për 7 vjet kam menduar që ishte familja ime. Jam takuar me ata dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ata kurrë nuk e mohuan dhe pohuan që unë jam vajza apo s’jam.

Ardit Gjebrea: Si e gjete ti këtë familje?

Pranvera: Nëpërmjet një mikes time. Ajo filloi po hetonte sepse ndodhej nga i njëjti vend dhe më pas, rastësisht në një spital ku unë isha shtruar ishte një zotëri që njihte zotin Luftim. Babi kishte vetëm informacion që i kishin thënë që ky ka qenë oficer, kaq i kishin thënë. Për Nexhmijen nuk kisha absolutisht asnjë lloj informacioni.

Ardit Gjebrea: Si e gjete?

Pranvera: Atë ditë në spital, babi siç e kemi ne shqiptarët, nga je, nga s’je thotë që “këtu-këtu, çfarë ke punuar”, thotë “kam qenë oficer në Memaliaj dhe në Tepelenë” dhe ne pamë njëri-tjetrin sepse të dy ishim duke kërkuar në atë periudhë. Dhe babi shkon e pyet dhe i thotë që këtu-këtu, “ne e kemi ditur që ka një histori por që nuk e dimë saktë, Luftimi por unë do të të jap numrin e djalit sepse ai është në moshë dhe nuk mund të flasë”. Kam marrë kontaktin e djalit, kam folur dhe impakti i parë sa më ka parë më ka ngatërruar me motrën e vet, ngjaja shumë dhe ngjaj shumë, ekstrem sa dhe sot që pak a shumë e di, unë nuk e besoj që ata s’janë…

Ardit Gjebrea: Ti mendon që ata janë?

Pranvera: E kam shumë të vështirë, e kam shumë të vështirë që ta besoj që s’janë ata, por që s’e di.

Ardit Gjebrea: Ti e vazhdon kontaktin me këtë familje?

Pranvera: Jo.

Ardit Gjebrea: Ata kishin një histori të ngjashme?

Pranvera: Nuk e kam kuptuar dot deri më sot sepse ata edhe kur i kërkuam pjesën e ADN-së, ata e refuzuan dhe kjo ishte një nga gjërat që mua më bëri të isha e bindur 100% që janë ata, pjesa e ADN-së që e refuzuan dhe ngjashmëria ekstreme që unë kisha.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë nuk ke dëgjuar, ke dëgjuar edhe që për nënë biologjike të kanë thënë që ka vdekur, po?

Pranvera: Po, kam bërë edhe një tatuazh këtu. (Tregon kyçin e dorës).

Ardit Gjebrea: Që është?

Pranvera: Emri i saj dhe krahët e engjëllit.

Ardit Gjebrea: Me emrin Nexhmije?

Pranvera: Jo, Miranda.

Ardit Gjebrea: Me emrin e mamasë tënde?

Pranvera: Kështu më thanë.

Ardit Gjebrea: Po nëse nuk është Miranda çfarë do bësh?

Pranvera: Do ta fshijmë.

Pas falenderimit për nënën e saj birësuese në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ka ardhur momenti që Pranvera të mësojë të vërtetën që kërkon prej vitesh.

Në fillim të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo u shpreh se veç gruas që e ka rritur, kishte ftuar edhe atë që e ka lindur. Pranvera ka kaluar vite të tëra me një pikëpyetje se kush është familja e saj biologjike.

Ajo u birësua në moshën 3-vjeçare, por kur shkoi 7 vjeçe i thanë se ishte “gjetur në koshin e mbeturinave”. Disa vite më vonë, dikush ia konfirmoi këtë version dhe për 15 vite të tjera i shkonte ndërmend vetëvrasja sepse përfytyronte refuzimin. Në moshën 30-vjeçare prindërit birësues e zhveshën më në fund frikën e tyre për ta humbur dhe i rrëfyen se e kishin marrë në jetimore.

Nga ai moment, ata iu kthyen në ndihmë për të gjetur rrënjët e saj. Përgjatë rrugës, Pranvera kontaktoi me programin dhe për 7 vite rresht, nuk ka reshtur puna për të mësuar të vërtetën.

Dikur, ra në gjurmët e një familjeje në Tepelenë, emrat e së cilës (Nexhmije dhe Luftim) përkonin me certifikatën që kishte babai birësues i Pranverës. Kur takoi djalin e familjes, ai u habit nga ngjashmëria e Pranverës me motrën e tij. Në këto 7 vjet, Pranvera i ka takuar dhe ka qëndruar me ta, por asnjëherë nuk është pohuar ose mohuar nëse ishte vajza e tyre.

Më vonë, ajo ka kërkuar një test ADN-je, por kanë refuzuar. Në kyçin e dorës së Pranverës ndodhet një tatuazh me emrin Miranda, pasi në informacione të tjera të gjetura rezultonte se nëna e saj ishte një grua me këtë emër që ka ndërruar jetë.

Për t’i shpjeguar të vërtetën e gjithë kësaj enigme, Ardit Gjebrea shkon pranë Pranverës dhe nënës së saj birësuese, Uranisë. Ai konfirmon se nëna biologjike është Nexhmija dhe rrjedhimisht, emri i tatuazhit nuk qëndron.

https://youtube.com/watch?v=m8lxRQIUwDo%3Fsi%3DdOL5qptsRvw8kglq

Ardit Gjebrea: Kur ka folur në fillim me Bernardin, edhe pse ne tashmë e kemi të verifikuar gjithçka, nuk ia ka pranuar këtë histori. Më pas, ne kemi dërguar një person tjetër shumë të afërt me të, për të folur, për të biseduar dhe më në fund zonja është dorëzuar dhe i ka thënë “po, unë jam”. Ke edhe një vëlla, ke më shumë se një vëlla dhe njëri jeton me nënën tënde biologjike. Kemi kontaktuar edhe me vëllain, siç ka qenë një traumë për ty me siguri do të ketë qenë një traumë shumë e madhe edhe për të. Nuk kanë ardhur sot as nëna dhe as vëllai, por vëllai është treguar i gatshëm që të flasë me ty dhe pse jo, ndoshta edhe të takoheni.

Në duart e moderatorit mbërrin një zarf i cili brenda tij ka foton e Nexhmijes dhe kontaktin e saj dhe të djalit. Pranvera sheh fotografinë dhe në fytyrën e saj të përlotur lexohet një tronditje e thellë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndien? Flasim.

Pranvera: Të vërtetën?

Ardit Gjebrea: Të vërtetën.

Pranvera: Mëshirë.

Ardit Gjebrea: Mëshirë?

Pranvera: Po.

Ardit Gjebrea: Që do të thotë?

Pranvera: Sepse nëse do të ndieja urrejtje në këto momente, do t’i kthehesha pas sëmundjes. Mëshira jep hapësirë që të zbutet zemra sepse ky është refuzimi tjetër që unë mora dhe ky ishte stacioni i fundit që ne lamë takim. Ndiej mëshirë… sepse çfarëdolloj arsyeje që ajo duhet të kishte nuk mendoj që mund ta ndalë për të takuar vajzën dhe mendoj që Zoti ma dha shenjën prapë, fillimi dhe mbarimi.

Ardit Gjebrea: Kam një pyetje. Mendon se të ngjan pak ose i ngjan asaj?

Pranvera: Jo.

Urania: Ngjan.

Ardit Gjebrea: Mamaja thotë që ngjan, edhe unë them që ngjan por ti tashmë nuk do as që të të ngjajë, as t’i ngjash.

Pranvera: Jo.

Ardit Gjebrea: Dëshiron ta marrësh këtë zarf me numrat e telefonit apo jo?

Pranvera: Zarfin me fotografinë jo.

Ardit Gjebrea: Numrat e telefonit i do?

Pranvera: Po, nëse më vonë…

Ardit Gjebrea: Varet se si të vjen. Nuk e do fotografinë?

Pranvera: Jo./tvklan.al

S'KA KOMENTE