Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka shfuqizuar masën disiplinore të Kuvendit ndaj dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, duke e cilësuar të paligjshëm përjashtimin e tyre për 60 ditë nga aktiviteti parlamentar.
Vendimi i gjykatës rrëzon aktin nr. 15, të datës 12 tetor 2026, të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, përmes të cilit dy deputetëve të opozitës u ishte ndaluar pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Gjykata ka vendosur gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit, çka u mundëson Bardhit dhe Balliut të rikthehen pa vonesë në veprimtarinë parlamentare, pa pritur përfundimin e afatit 60-ditor të përjashtimit.
Në dispozitivin e vendimit përcaktohet shprehimisht shfuqizimi i masës disiplinore të marrë ndaj dy ligjvënësve, si dhe zbatimi i menjëhershëm i vendimmarrjes së gjykatës.
Me këtë vendim, masa e vendosur nga strukturat e Kuvendit ndaj dy deputetëve demokratë humbet fuqinë.










