Fier/ Gjykata lë në burg mesuesin, i dyshuar për ngacmim seksual, shpërdorim detyre

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin me inicialet M.S., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ngacmim seksual”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pornografia”.

Vendimi është marrë këtë të enjte, më 1 tetor 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Fierit në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura.

Gjykata, nën drejtimin e gjyqtarit Noel Veizi, ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të M.S. dhe ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

M.S. dyshohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 108/a, pika 2, 248 dhe 117, pika 3 të Kodit Penal.

Vendimi do të ekzekutohet nga Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes vijojnë.