Eurodeputetja Anna Strolenberg nga protesta në Tiranë: “Edi Rama duhet të dëgjojë shqiptarët”

Mbështetja ndërkombëtare për protestën para Kryeministrisë në Tiranë vijoi edhe me fjalimin e eurodeputetes Anna Strolenberg, e cila deklaroi se kauzat për të cilat po protestojnë qytetarët shqiptarë janë në përputhje të plotë me vlerat themelore të Bashkimit Europian.

Duke iu drejtuar protestuesve, Strolenberg theksoi se mbrojtja e natyrës, lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe demokracia janë parime bazë europiane dhe se Shqipëria duhet t’i respektojë ato në rrugën drejt integrimit në BE.

“Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë!”, deklaroi eurodeputetja.

Në fund të fjalës së saj, Strolenberg lëshoi edhe një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar më shumë dëgjim ndaj qytetarëve dhe veprime konkrete kundër korrupsionit.

“Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë, kërkesat janë të qarta: mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!”, u shpreh ajo para protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë.