Ervin Salianji: PD nuk është pronë personale, demokratët po refuzojnë farsën


Ervin Salianji ka reaguar pas procesit të votimeve në Partinë Demokratike, duke falënderuar demokratët që, sipas tij, kanë shprehur qartë preferencën e tyre ose kanë refuzuar atë që e cilëson si “farsë”.

Në një mesazh publik, Salianji thotë se po merr qindra mesazhe dhe foto nga demokratë në të gjithë vendin, nga Shkodra në Korçë, Vlorë, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhë, Durrës dhe Tiranë.

“Partia Demokratike nuk është pronë personale”, shprehet ai, ndërsa shton se demokratët po reagojnë me dinjitet ndaj “uzurpimit të PD-së për interesa personale”.

Salianji falënderon edhe demokratët që kanë bojkotuar procesin, duke e konsideruar këtë një refuzim ndaj imponimit dhe përjashtimit të alternativës brenda partisë.

“Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale”, deklaron Salianji.

Në fund, ai thekson se beteja do të vazhdojë me synimin që Partia Demokratike t’u rikthehet anëtarëve dhe qytetarëve.