Disa institucione kanë marrë mesazhe elektronike kërcënuese për vendosjen e bombave, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë nisur verifikimet për të vlerësuar situatën dhe për të identifikuar autorët.
Dyshimet paraprake janë se bëhet fjalë për alarme të rreme, ndërsa kontrollet dhe hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e rastit.
Sipas Euronews, emaili kërcënues u është dërguar më shumë se 140 personave dhe përmban mesazhe me tone të rënda kërcënuese dhe referenca ndaj konfliktit Kosovë-Serbi.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush”, thuhet në fillim të mesazhit, ku dërguesi pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e institucionit dhe kërcënon se ai do të shpërthejë pas një ore.
Në vijim, emaili përmban kërcënime të drejtpërdrejta për vrasjen e shqiptarëve, të lidhura me mosnjohjen e Kosovës si territor i Serbisë.
Autoritetet po verifikojnë përmbajtjen e mesazheve dhe vërtetësinë e kërcënimeve, ndërsa mbetet për t’u sqaruar identiteti i personave që qëndrojnë pas tyre.










