Dy shpërthime me lëndë plasëse në Durrës, dëmtohen një lokal dhe një garazh

Dy incidente me lëndë plasëse janë regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës.

Sipas policisë, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit Gëzim Kajno është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.

Rreth 40 minuta më vonë, një tjetër incident është shënuar në zonën e Shkallnurit, përgjatë rrugës Plepa–Ndroq. Sipas policisë, lënda plasëse është hedhur në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar dëme materiale.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur punën për dokumentimin e ngjarjeve, mbledhjen e provave dhe zbardhjen e rrethanave. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.