Durrës/ Gjendet eksploziv i lidhur me celular, ndërhyjnë xhenierët e RENEA-s

Një sasi e vogël lënde plasëse, e lidhur me një aparat celular, është gjetur e braktisur në rrugë në lagjen nr. 3 të Durrësit.

Pas sinjalizimit për objektin e dyshimtë, shërbimet e Policisë së Durrësit rrethuan menjëherë zonën dhe vendosën perimetrin e sigurisë, duke shmangur rrezikun për qytetarët.

Në vendngjarje mbërritën specialistët xhenierë të repartit RENEA, të cilët ndërhynë për çaktivizimin e lëndës plasëse. Operacioni përfundoi me sukses dhe rreziku i shpërthimit u eliminua.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen e provave materiale dhe hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e personave që kanë vendosur apo braktisur objektin në rrugë.