Tensionet u rikthyen mbrëmjen e 1 shtatorit para Kryeministrisë, në ditën e 94-t të protestës. Përplasjet nisën pasi një grup protestuesish bllokuan hyrje-daljet e institucionit dhe kundërshtuan kordonin e policisë.
Sipas Policisë së Tiranës, pas ndërhyrjes për lirimin e rrugës dhe krijimin e perimetrit të sigurisë, protestuesit kanë bërë rezistencë aktive, duke shtyrë dhe goditur efektivët. Gjatë incidentit raportohet se mbeti i lënduar edhe një punonjës policie.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia njofton se ka arrestuar në flagrancë 14 persona, mes tyre edhe tre organizatorë të protestës: Dritan Goxhaj, Edison Lika dhe Arvina Lleshi.
Të arrestuarit janë:
Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe A. D.
Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht Mandi Jatagani, Andi Tepelena dhe Altin Goxhaj.
Sipas policisë, protesta u zhvillua në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, në një kohë kur në institucion ndodheshin personalitete të larta shtetërore. Efektivët u kanë kërkuar protestuesve të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën, por këta të fundit kanë vijuar qëndrimin dhe përplasjet me forcat e rendit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ku hetimet vijojnë për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, kundërshtimit të punonjësit të policisë, prishjes së qetësisë publike dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit.










