Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me operacionin për arrestimin e Ergys Agasit, i cili prej rreth dy javësh dyshohet se ishte nën monitorimin e Policisë dhe SPAK.
Agasi është mbajtur fillimisht nën vëzhgim në Elbasan, ndërsa më pas lëvizjet e tij janë ndjekur deri në Durrës, ku është ndaluar në zonën e Plepave.
Në të njëjtin operacion është arrestuar edhe Uljan Shpataraku, ish-punonjës policie. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasit.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe disa sende personale, mes tyre çanta, ndërsa nuk dihet ende përmbajtja e tyre.
Operacioni vijon, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje mbi arrestimet, provat e sekuestruara dhe akuzat që rëndojnë ndaj dy personave.










