Dërgesat e emigrantëve, pranë rekordit historik 

Dërgesat e emigrantëve, pranë rekordit historik 

71
SHPËRNDAJE

Dërgesat e emigrantëve, apo siç njihen ndryshe remitancat, kanë regjistruar një tjetër nivel të lartë në tremujorin e dytë të këtij viti. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për periudhën nga prilli deri në qershor 2023, emigrantët sollën pranë familjeve të tyre në Shqipëri 229,5 milionë euro.

Remitancat kanë njohur rritje gjatë një viti dhe për këtë periudhë kanë qenë mbi 37 milionë euro më shumë sesa tremujori i dytë i vitit të kaluar. Duke analizuar shifrat që nga fillimi i vitit 2008, të disponueshme në bazën e të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vërehet se tremujori me prurjet më të mëdha të valutës ka qenë ai i fundit të vitit 2022 me rreth 241,7 milionë euro. Ndërkohë, në total vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve arritën një total rekord prej 833,7 milionë euro.

Pavarësisht vështirësive që po kalon ekonomia globale, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian, sërish të ardhurat e familjeve shqiptare nga të afërmit e tyre që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit janë baza e të ardhurave. Sidomos gjatë dy viteve të fundit kur inflacioni i lartë po gërryen familjet.

Duket se rritja që po regjistrohet në të ardhurat e emigrantëve lidhet ngushtë edhe me periudhën më të vështirë që po kalon monedha e përbashkët europiane në vendin tonë. Si rrjedhojë e zhvlerësimit të madh të euros, por edhe valutave të tjera kryesore si dollari amerikan, franga zvicerane apo paundi britanik, emigrantëve u duhet të dërgojnë më shumë valutë tek të afërmit, për të zbehur deri diku efektet negative të kursit të këmbimit.

Nga ana tjetër, nivelet e larta të remitancave, bashkë me investimet e huaja direkte dhe shpenzimet e turistëve, sipas autoriteteve shqiptare, kanë qenë faktorët kryesore në zhvlerësimin e fortë të valutave në përgjithësi dhe euros në veçanti.

/SCAN

S'KA KOMENTE