Buxheti i vitit 2027, i cili kap vlerën rekord prej mbi 10 miliardë eurosh, parashikon një rritje të fondeve për pushtetin vendor. Sipas projektbuxhetit, për 61 bashkitë e vendit do të alokohen gjithsej 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026.
Një pjesë e rëndësishme e financimit për bashkitë do të vijë përmes transfertave nga Buxheti i Shtetit, të cilat parashikohen në 49.4 miliardë lekë, ose 4% më shumë se një vit më parë.
Pjesën më të madhe të këtij fondi e zë transferta e pakushtëzuar e përgjithshme, me 29.3 miliardë lekë, në rritje me 5.2%. Ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale parashikohet në 19.9 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026.
Sipas tabelës së shpërndarjes së fondeve, përfituesit më të mëdhenj janë Bashkia Tiranë me rreth 7.07 miliardë lekë, Durrësi me 2.69 miliardë, Elbasani me 2.09 miliardë, Fieri me 1.88 miliardë dhe Vlora me 1.69 miliardë lekë.
Një element i veçantë i projektbuxhetit është financimi për 15 bashkitë që, në kuadër të reformës së re territoriale, pritet të humbasin statusin si njësi të veçanta të vetëqeverisjes vendore. Për këto bashki janë parashikuar në total rreth 5.95 miliardë lekë.
Mes tyre, përfituesi më i madh është Maliqi me afro 797 milionë lekë, i ndjekur nga Divjaka me 575 milionë, Përrenjasi me 486 milionë dhe Cërriku me 452 milionë lekë.
Sipas parashikimeve, pas konsolidimit të njësive të reja vendore, fondet e papërdorura do t’u kalojnë bashkive pritëse.
Megjithatë, shpërndarja e këtyre fondeve ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të trajtohen buxhetet, projektet e nisura dhe detyrimet financiare të bashkive që do të shkrihen. Mbetet e paqartë se si do të bëhet konkretisht transferimi dhe rishpërndarja e tyre te bashkitë e reja, veçanërisht për faktin se reforma territoriale pritet të zbatohet brenda të njëjtit vit financiar.
Edhe pse projektbuxheti vijon të diskutohet në komisionet parlamentare, në materialet e prezantimit të tij nuk jepen ende detaje të hollësishme për mënyrën se si do të realizohet ky proces.










