Britanikët pajisin Policinë e Shtetit me teknologji moderne

Policia e Shtetit është pajisur me teknologji të re moderne falë një donacioni prej rreth 200 mijë paundësh nga partnerët britanikë, përmes Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar (HOIO).

Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e drejtuesve të policisë shqiptare dhe përfaqësuesve të agjencive britanike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, e cilësoi këtë mbështetje si një hap të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut ndërkufitar dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Sipas tij, pajisjet do të ndihmojnë në rritjen e kontrolleve kufitare, analizimin më të shpejtë të informacionit dhe përmirësimin e hetimeve kriminale.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit britanikë theksuan se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë edhe më tej përmes asistencës teknike, mbështetjes logjistike dhe shkëmbimit të eksperiencave profesionale.

Donacioni përfshin pajisje teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Njësia e Informacionit të Pasagjerëve, me synim rritjen e kapaciteteve operacionale dhe goditjen më efikase të grupeve kriminale.