Bizneset ankohen për probleme në e-Albania pas rikthimit online të platformës

Vetëm pak orë pas rikthimit në funksion të platformës së re e-Albania, bizneset kanë nisur të raportojnë probleme dhe vështirësi në përdorimin e shërbimeve online.

Sipas ankesave të bizneseve, sistemi paraqet ngecje të vazhdueshme dhe në disa raste nuk lejon përfundimin e procedurave elektronike. Disa prej tyre pohojnë se portali rezulton më problematik se më parë.

“E-Albania nuk është funksionale dhe sistemi ngec vazhdimisht. Aktualisht nuk po realizohen dot shërbimet online”, shprehet një biznes, ndërsa të tjerë raportojnë se faturat nuk po shkarkohen dhe aplikimet me nënshkrim elektronik nuk pranohen nga sistemi.

Ndër problematikat kryesore të evidentuara janë:

  • mosshfaqja e taksave të bashkive;
  • mungesa e kryqëzimit me databazat e tjera shtetërore;
  • bllokimi i aplikimeve me nënshkrim elektronik për shkak të mesazheve të gabimit.

Pak ditë më parë, AKSHI njoftoi se portali do të ishte jashtë funksionit nga 15 deri në mëngjesin e 18 majit, për shkak të modernizimit të infrastrukturës teknologjike.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit deklaron se “e-Albania 2.0” është ndërtuar mbi një infrastrukturë të re moderne, me synimin për të ofruar më shumë siguri, shpejtësi dhe aksesueshmëri për qytetarët dhe bizneset.

Sipas AKSHI-t, platforma e re sjell funksionalitete të avancuara për bizneset, përfshirë menaxhimin e autorizimeve, delegimin e përdorimit të shërbimeve dhe metoda të reja autentikimi me verifikim me dy faktorë.