Berisha sulmon sërish Dumanin para SPAK: Do publikoj të tjera denoncime

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, para se të hynte në ambientet e SPAK për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, paralajmëroi publikimin e denoncimeve të reja ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.

Në një deklaratë për mediat jashtë Prokurorisë së Posaçme, Berisha e akuzoi Dumanin për deklarime të pasakta lidhur me pasurinë dhe banesën ku jeton.

“Herën e kaluar ju tregova se si Altin Dumani ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlerë disa herë më të ulët sesa vlerat e tregut. Sot jam këtu për një denoncim tjetër”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se Dumani banon në një vilë që, sipas tij, është deklaruar si e ndërtuar para martesës, ndërsa akuzoi familjarët e bashkëshortes së ish-kreut të SPAK për deklarime të rreme lidhur me burimin e financimit të ndërtimit.

Berisha tha se, sipas një deklarate noteriale të paraqitur gjatë procesit të vettingut, prindërit e bashkëshortes kanë deklaruar se fondet për ndërtimin e vilës janë siguruar nga një misionar i huaj.

“Këta që përdorin kishat për mashtrim, s’kanë as Krisht, as Allah, as Budë; janë kryehajdutë”, u shpreh Berisha gjatë deklaratës së tij.

Deri më tani nuk ka pasur një reagim publik nga Altin Dumani lidhur me akuzat e bëra nga kreu i PD-së.